DEKLARATË PËR SHTYP

Projektligji për Barazinë Gjinore: Një domosdoshmëri universale për drejtësi, dinjitet dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë

Tiranë, 21 Tetor 2025

Projektligji i ri “Për Barazinë Gjinore” i paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale riafirmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj të drejtave universale, të pandashme dhe të patjetërsueshme të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, përmes prezantimit të një reformë të thellë ligjore të përputhur me kornizën evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, e domosdoshme për përparimin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Gati tri dekada pas Deklaratës dhe Platformës së Pekinit (1995) dhe pas miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bota, përfshirë Shqipërinë, përballet ende me pabarazi strukturore dhe sistemike që kufizojnë potencialin njerëzor dhe dobësojnë parimet demokratike.

Këto pabarazi kanë pasoja të thella mbi jetët, liritë dhe dinjitetin e miliona njerëzve dhe pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien shoqërore.

Shqipëria duhet të qëndrojë fort në bindjen se të drejtat e grave dhe vajzave janë universale, të pandashme dhe të patjetërsueshme dhe se barazia gjinore nuk është ideologji, por e drejtë themelore e njeriut, një parakusht për shoqëri të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.

Projektligji i ri për Barazinë Gjinore përditëson Ligjin ekzistues të vitit 2008, duke e përafruar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën e Kombeve të Bashkuara për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW) dhe Konventën e Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Ky ligj është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi ndërinstitucional dhe publik, me pjesëmarrjen e:

institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore,
organizatave të shoqërisë civile dhe rrjeteve të grave,
ekspertëve të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore,
përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Delegacionin e BE-së, agjencitë e OKB-së dhe partnerë të tjerë zhvillimi.
 
Ligji i ri forcon mekanizmat e llogaridhënies, bën të detyrueshëm buxhetimin e përgjigjshëm gjinor, mbledhjen e të dhënave gjinore, forcon kompetencat e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore dhe krijon instrumente konkrete për barazi reale në vendin e punës, në vendimmarrje dhe në jetën publike. Ai vlerëson punën e papaguar të kujdesit, promovon paga të barabarta për punë të barabartë, pjesëmarrje të barabartë në vendimarrje, drejtim dhe politikë, dhe siguron që politikat publike të kontribuojnë në zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

Kundër dezinformimit: çfarë ky ligj NUK bën

Në dritën e fushatave të fundit të keqinformimit, është e rëndësishme të sqarohet qartë se projektligji:

Nuk prezanton “gjiní të reja” dhe nuk zëvendëson biologjinë;
Nuk ndërhyn në jetën familjare dhe nuk ndryshon konceptet “nënë”, “baba” apo “prind”;
Nuk cënon fenë, sportin apo identitetin kombëtar;
Përkundrazi, forcon familjen shqiptare, mbron dinjitetin e çdo qytetari dhe siguron respekt të ndërsjellë midis burrave dhe grave.

Thënë sa më lart ne mbrojtësit e të drejtave të njeriut kundërshtojmë fuqishëm përpjekjet për të hequr terminologjinë thelbësore nga Ligji për Barazinë Gjinore, përfshirë termat “stereotip gjinor” dhe “përkatësi e shumëfishtë.”

Këto nuk janë koncepte të reja apo “ideologjike”, janë shtylla themelore që e bëjnë ligjin efektiv dhe të aftë për të luftuar efektivisht pabarazitë reale që përjetohen çdo ditë në shoqërinë shqiptare.

Nëse eleminojmë fjalën “stereotip” nga ligji për Barazinë Gjinore, do të thotë se po zgjedhim të mos shohim më rrënjën e pabarazisë. Pabarazia nuk fillon në ligj, ajo fillon në mendje: në mënyrën si rritim vajzat dhe djemtë, si flasim për gratë në media, politikë e biznes dhe si i gjykojmë burrat që kujdesen për fëmijët.

Nga ana tjetër, “përkatësia e shumëfishtë”, në harmoni me konceptin e diskriminimit të shumëfishtë të prezantuar nga ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, nënkupton që një person mund të përjetojë më shumë se një formë diskriminimi në të njëjtën kohë, për shembull, për shkak të gjinisë, moshës, etnisë, karakteristikave identitare, aftësisë së kufizuar apo statusit ekonomik, duke garantuar që ligji nuk është i ngurtë përballë realiteteve sociale dhe që askush të mos mbetet pa mbrojtje ligjore, çka bën që të adresohen format më komplekse të pabarazisë.

Mesazhi ynë është i qartë: Heqja e termave si “stereotip gjinor” dhe “përkatësi e shumëfishtë” dobëson ligjin, cënon përparimin dhe zhbën arritjet e dekadës së fundit në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore për çdo qytetar shqiptar.

Në një kohë kur në mbarë botën po forcohen lëvizjet kundër të drejtave të njeriut dhe retorikat që përpiqen të zhbëjnë arritjet ligjore e politike, Shqipëria duhet të zgjedhë rrugën e transparencës, bashkëpunimit dhe progresit.

Barazia gjinore nuk është koncept i huaj, por vlerë kushtetuese kombëtare dhe evropiane, thelbësore për arritjen e një shoqërie të drejtë dhe demokratike, pa përjashtuar askënd, por duke forcuar kohezionin shoqëror dhe rritur mirëqenien e përbashkët.

Ftojmë çdo anëtare dhe anëtar të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, çdo gazetare e gazetar, çdo qytetare e qytetar, të lexojë me kujdes përmbajtjen e këtij projektligji dhe të mos lejojë që dezinformimi ta errësojë thelbin e tij.

Ky nuk është ligj për ndarje, por për bashkim, për familjen, për barazinë, dhe për dinjitetin njerëzor;
Nuk është ideologji, por thirrje për drejtësi në emër të respektit të të drejtave të njeriut dhe të ardhmes së përbashkët!

Emrat e organizatave që e mbështesin apo të aktivistëve të ndryshëm

Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC)

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)

Agritra-Vizion, Peshkopi

Gruaja tek Gruaja, Shkod?r

Qendra psiko-sociale ”Vatra”, Vlorë

Linja e K?shillimit p?r Gra dhe Vajza, Tiranë

Forumi Gruas Elbasan, Elbasan

Shoqata “Jona”, Sarand?

Shoqata “Un? Gruaja”, Pogradec

Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”

Qendra "Strehëza Edlira Haxhiymeri"

Rrjeti për Demokraci i Gruas në Shqipëri

Shoqata “Refleksione”

Organizata “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”

Albanian Disability Rights Foundation (ADRF)

Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare

Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT

Streha për Personat LGBT

Të Bashkuar Pro Kauzës LGBT

Open Mind Spectrum Albania (OMSA)

Qendra "Hapa të Lehtë”

Partners Albania 

Qendra Shkence dhe Inovacion per Zhvillim (SCiDEV)

 

Dokumenta Ndihmëse

DEKLARATËPËRSHTYP

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.