STUDIM: Përvetësimi i kuotës gjinore 50/50 në këshillat bashkiake - Prapaskenat e partive politike

Studimi “Zbatimi i kuotës gjinore 50/50 në këshillat bashkiake: Prapaskenat e partive politike” shqyrton dorëheqjet e grave nga këshillat bashkiake në vend. Duke u mbështetur në një sërë të dhënash—zyrtare, lokale dhe përvoja personale—studimi shpjegon të gjithë procesin: nga përfshirja e grave në listat e partive politike e deri te dhënia e dorëheqjes. Rezultatet hedhin dritë mbi prapaskenat e partive politike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e përfaqësimit dhe të qeverisjes në vend. Në përfundim, studimi paraqet një sërë rekomandimesh, zbatimi i të cilave duhet të sjellë së bashku aktorë lokalë dhe ndërkombëtarë, dhe ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të luajë rol kyç.

Mbi Autoret
Ekspertiza kërkimore e Dr. Marsela Dauti fokusohet tek proceset e demokratizimit dhe mënyrat sesi ato shpalosen në nivel lokal. Dr. Dauti ka shqyrtuar çështje që lidhen me
përfshirjen e komuniteteve në vendimmarrjen lokale, kuotat gjinore në politikë dhe përdorimin e evidencës në politikëbërje. Pas përfundimit të doktoraturës në Universitetin e Uashingtonit, Dr. Dauti është angazhuar në reformat politike dhe sociale në Shqipëri, ndër të cilat edhe ato që synojnë avancimin e barazisë gjinore në vendimmarrjen politike.
Geldona Metaj punon në fushën e punës sociale dhe politikave sociale me fokus barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen qytetare. Ajo është e angazhuar në çështje që lidhen me përfaqësimin politik të grave në vendimmarrje. Aktualisht, po ndjek studimet doktorale në Universitetin e Tiranës dhe ndërthur kërkimin akademik me përvojë praktike në edukim, shoqëri civile dhe programe të zhvillimit social.

Mirënjohje
Studimi është realizuar me bashkëpunim të ngushtë me Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN). Faleminderit Ines Leskaj dhe Miklovana Droboniku që na mbështetët në çdo hap të procesit kërkimor—duke nisur me komunikimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike, dhe këshillat bashkiake, e duke vazhduar me ngritjen e grupit lokal të punës. Grupi lokal u angazhua intensivisht, duke bërë që të siguronim të dhëna të pasura.

Faleminderit Besmira Lekaj, Genc Gjoci, Gledisa Çela, Sonila Muzhaqi, Elsa Murataj, Elsa Sula, dhe Xhensila Murati! Mirënjohje për Drejtorinë e Komunikimit dhe Koordinimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, stafi i të cilës na priti dy herë dhe iu përgjigj kërkesave tona.
Studimi nuk do të ishte realizuar pa bashkëpunimin e ngushtë me fondacionin “Friedrich Ebert,” në Tiranë. Faleminderit për mbështetjen.

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.